banner

Fjala e z. Vangjel Dule për deklaratat programore të Qeverisë Rama 2 [VIDEO]

Fjala e z. Vangjel Dule për deklaratat programore të Qeverisë Rama 2 [VIDEO]

 

Vangjel Dule – I nderuar zoti Kryetar i seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Dëshiroj ta nis me urimet më të mira për të gjithë kolegët deputetë, në veçanti për kolegët e rinj, për një legjislaturë dhe një sesion të mbarë dhe të suksesshëm!

Pavarësisht se isha i sigurt në vetvete për atë që do të gjeja në rreshtat e programit qeveritar dhe përtej tyre, e konsiderova si një ushtrim vullneti dhe i imponova vetes leximin nga kreu në fund;

Në zonën nga vij kemi një shprehje, e cila thotë: “Rrush i vjetshëm dhe i thartë”.  Nuk e di nëse Kryeministri, pati rastin kur u zinte derën qytetarëve gjatë fushatës për dreka-darka, ta dëgjonte këtë proverb.

Një material pa vizion strategjik, pa qasje sistematike, ide të fragmentarizuara dhe të shpërndara. Për metodikë nuk bëhet fjalë! Improvizime, fjalë të stivosura me qëllim të mirëfilltë stilistik duke neglizhuar tërësisht semantikën e tyre. Si gjithmonë Rama i mirëfilltë! Pa fillim, pa mes, pa fund, në idetë dhe konceptet e tij. Një njeri i kapur fort pas timonit, me duar që i dridhen, por që nuk posedon as busull klasike, jo më GPS!

Nuk e di se si e interpretoi thënien e një ish-kryeministri. Ndoshta e mori për kompliment, por është e vërtetë! Çështja nuk është timoni, por destinacioni.     Ky njeri është kapur fort pas këtij timoni, që në fakt nuk di se nga ta drejtojë.

Gjithsekush e ka të qartë  se ky vend, objektivisht, përtej qeverisë dhe ideologjisë së partisë qeverisëse, në programin e tij nuk mund të ketë kryefjalë tjetër veç integrimit. Ta shikojë qytetari dhe shoqëria! Në programin e kësaj qeverie ky kuadrat flet për integrimin, për objektivin strategjik, për ëndrrën shekullore, për realitetin që gjithsecili dëshiron të garantojë, pasi nuk e gëzoi dot për vete, për fëmijët dhe për nipërit.

A mund të besojë kush se në këtë problem qeveritar, ku kryefjalës i kushtohet kaq hapësirë, mund të gjejnë hapësirën e duhur derivatet e tjera të tij?! Nuk ka shpresë!

Po filloj, se jemi edhe në një trysni të pamëshirshme kohe, me disa nga çështjet të cilat lidhen ngushtë me integrimin.

Më takon ta filloj me të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve në veçanti.

Në mënyrë krejt abuzive iu referua dje zotëria i tij Kryeministër dhe foli për të drejtat e minoriteteve duke përdorur termin e komunistëve të papengueshëm! “Na ka zili bota kapitalisto-revizioniste”, thoshte shoku Enver. Sot “Na kanë zili për standardet e respektimit të të drejtave të minoriteteve”!

Të nderuar kolegë,

Duhet të jemi të sinqertë.  Me minoritetet ka gjithmonë probleme, me minoritetet ka gjithmonë shqetësime. Ka ulje dhe ngritje në politikat që i trajtojnë ato, veçse duhet të ruajmë një dinamikë pozitive, në rritje, gjithmonë duke përafruar realitetet tona me realitetet, standardet dhe parametrat e gjithëpranuara, që janë një realitet i përditshëm dhe i prekshëm në familjen europiane.

Gjithmonë, në të gjitha qeveritë e mëparshme ka pasur probleme të tilla, por nuk kemi pasur, ashtu siç ndodh me qeverinë e zotit Rama, hapa sistematike mbrapa, që përbëjnë edhe trend. Kjo nuk e nderon vendin tonë! Kjo nuk nderon askënd prej nesh! Kemi standardet më të ulëta në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe jo vetëm kaq, të mos përmend vende të veçanta dhe standarde të veçanta.

Qeveria ka përgatitur një ligj, i cili së shpejti do të vijë në parlament.

Pse vjen ai ligj? Se e kërkon në mënyrë sistematike dhe insistuese Bashkimi Europian, për të arritur një standard më të pranueshëm, me qëllim që të jemi të përgatitur gjatë negocimit në lidhje me kapitullin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.

Ka ardhur një projektligj, i cili nuk ka asgjë të re. Është një projektligj, i cili ripërtyp slogane propagandistike, pa shënuar asnjë hap në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me aspekte të përditshme të jetës së komuniteteve, që u përkasin minoriteteve, të mbrojtjes së minoriteteve, të mbrojtjes së identitetit, të trashëgimisë, të përdorimit të gjuhës së tyre.

Kryeministri ynë, si koncept bazë për të drejtat e minoriteteve, nuk ka integrimin e tyre, siç e kanë të gjitha vendet që duan të kenë një koherencë shoqërore, por ka asimilimin, dhe për këtë asimilim nuk heziton të përdorë mjete politike, mjete ekonomike dhe të natyrave të tjera. Kjo u manifestua më së miri edhe gjatë fushatës së fundit elektorale.

Po e përfundoj me këtë kapitull për të kaluar në një nënkapitull, që sërish dje iu referua pjesërisht dhe në mënyrë propagandistike.

Ju ndoqët para disa ditësh një mbledhje, që u bë lajmi i parë në zhvillimet politike të vendit, të këshillit bashkiak të Himarës.

Këshilli bashkiak i Himarës, zotërinj të nderuar, zonja të nderuara, u zhvillua në praninë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, në skajin më të largët të Bashkisë së Himarës, në fshatin Kuç dhe jo në selinë e bashkisë, sikur të ishim në kushte Kandahari, apo Alepoje në Siri! Përse?! Përse duhet të mblidhet një këshill bashkiak në këto kushte terrori?! Sepse Edi Rama, i cili luante edhe rolin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, kërkon me çdo kusht të imponojë të quajturin masterplan apo planin e përgjithshëm të zhvillimit. Përtej çdolloj etiketimi që mund t’i bëj dhe kërkon t’i bëj në mënyrë sistematike, nuk mund të fsheh se ai është një projekt grabitjeje masive e pronës së banorëve të Himarës, duke filluar nga Llogoraja deri në Sarandë.

Në Himarë nuk njihet pronësia, zotërinj! Në Himarë nuk u regjistrohet prona qytetarëve. Nuk regjistrohet prona as me titujt e pronësisë përpara shtetëzimit të pronës në vitin’45-’46, as me vendime të gjykatave apo të komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës. Nuk u njihet dhe nuk u regjistrohet prona as me titujt e pronësisë në bazë të ligjit nr.7051, dhe për më tepër, ndodh precedenti i paparë dhe i padëgjuar, shteti synon dhe ka si objektiv të konfiskojë pronat e privatëve dhe t’ua kalojë ato privatëve të tjerë, në një kohë që e dimë se konfiskimi bëhet për arsye madhore dhe gjithmonë nga privati në favor të shtetit, dhe jo të realizohet ky konfiskim nga shteti, nga njëri privat në favor të interesave të privatit tjetër.

Zoti Rama, i cili ka nisur një fushatë mediatike për ta paraqitur këtë projekt si projektin e zhvillimit, është në fakt duke synuar realizimin e tjetërsimit masiv të pronës në Himarë, duka ua rrëmbyer atë pronarëve të ligjshëm, në favor të interesave klienteliste dhe të oligarkëve.

Po ju them një shembull shumë konkret: të gjithë besoj e keni parasysh zonën e Dhraleos që shikohet menjëherë sa zbret kthesat e Llogorasë. Familja Duni, në pronat e veta, me leje ndërtimi, në bazë të të gjitha rregullave të shtetit, kishte ndërtuar tre objekte. Në vitin 2014, sa erdhi në pushtet zoti Rama, që i ka shumë qejf buldozerët dhe çekiçët, i rrëzoi. Pasi këta qytetarët iu drejtuan gjykatave, kanë në dorë vendime të gjykatave të Apelit, që kërkojë dëmshpërblimin prej 150 mijë eurosh për çdo objekt të prishur. Për të tria, sot e kësaj dite nuk kanë marrë asnjë cent! Për më tepër kërkojnë në gjykata që t’u jepet leja të rindërtojnë në trojet e tyre. As kjo e drejtë nuk respektohet! Por çfarë donte  në  pronat e familjes Duni një mik i zotit Rama, klient i tij, i cili po ndërton një fshat turistik?

Kjo është situata, të nderuar kolegë deputetë, kjo është situata, të nderuar qytetarë që na dëgjoni në këtë orë të vonë.

Por dua t’ia bëj të qartë zotit Rama se edhe në epokat e tjera, edhe në sistemet e tjera politike askush nuk ia ka dalë të nëpërkëmbë të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, aq më tepër të drejtën e shenjtë të pronës. Kushdo që e bën këtë gjë, do të përballet me banorët e Himarës, me ne, përfaqësuesit e tyre, dhe me të gjithë njerëzit e qytetëruar të Republikës së Shqipërisë, që duan një shoqëri dhe një shtet me ligje dhe me rregulla, do të përballet këtu në parlament, në Bruksel, në Uashington dhe kudo.

Të nderuar zotërinj, do të vazhdoj me çështjen tjetër lidhur me  marrëdhëniet me vendin fqinj, Greqinë.

Unë kam diskutuar lidhur me programet e shumë qeverive, që prej vitit 2001 (pavarësisht se kam qenë edhe në parlamentin jetëshkurtër të viteve 1996-1997) të qeverisë “Nano”, të qeverisë “Majko”, të qeverisë “Meta”, të qeverisë “Berisha 1” dhe “Berisha 2” dhe nuk kam parë asnjëherë një konceptim të tillë të marrëdhënieve me një shtet fqinj, marrëdhënie të një rëndësie të veçantë, të një vendi anëtar të NATO-s dhe të BE-së; të një vendi ku kemi numrin më të madh të emigrantëve; të një vendi, i cili është investitori i parë gjatë 27 vjetëve të fundit për sa u përket investimeve të huaja direkt në vendin tonë; të një vendi që ka bërë avokati sistematike për integrimin e Shqipërisë si në NATO, ashtu edhe sot në BE. Po ju kujtoj se integrimi i Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, në kuadër të iniciativës së Selanikut është ndërmarrë gjatë presidencës greke të BE-së. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat gjatë presidencës greke. Rrjedhimisht, cilat qenkan këto probleme të mëdha midis Shqipërisë dhe Greqisë? Kryeministri i vendit në 4 vjet qeverisje, sa herë negociohej, nuk artikuloi asnjëherë konkretisht se në cilat çështje pati përparime dhe në cilat nuk i arriti ato. Ai asnjëherë nuk u pozicionua. Nga njëra anë, në kongresin e partisë ndërseu njerëz për të bllokuar hyrjen e Ministrisë së Jashtme kur e vizitoi një ministër i Jashtëm i një vendi të BE-së, dhe, nga ana tjetër, i thotë atij në takim: “Lërini të protestojnë se nuk ka çështje të tilla”.

Pra, më lejoni të shpreh vlerësimin tim se midis Shqipërisë dhe Greqisë ka një problem, ky problem është Edi Rama me axhendën e tij politike, e cila nuk është as e popullit shqiptar, as e interesave të Shqipërisë, por është një axhendë e tij personale dhe meqenëse kjo është mbledhja e parë e Kuvendit nuk dua të them diçka më të rëndë, që është në shërbim të interesave të treta.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, cilatdo qofshin ato, nuk varen vetëm nga vullnetet e qeverisë së sotme, të djeshme apo të nesërme, ato kanë një substrat objektiv. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë substratin më të qëndrueshëm, garanci për to është minoriteti grek në Shqipëri, janë emigrantët në Greqi, janë investitorët, janë popujt që kanë fijet më të dendura të  lidhjeve midis tyre krahasuar me të gjithë popujt e tjerë.

Dua të vazhdoj me një çështje shumë kritike, me çështjen e narkotikëve.

Pjesërisht Kryeministri ka filluar të belbëzojë dhe të pranojë dimensionin real të këtij fenomeni. Në shtator të vitit 2016, gjatë legjislaturës së kaluar, në këtë sallë ngrita zërin për çështjen e kultivimit të narkotikëve. U gjenda përballë një sulmi të koordinuar ministrash, si dhe nga vetë Kryeministri, duke mohuar, duke ironizuar dhe duke lëshuar insinuata të të gjitha natyrave.

Sot ata e pranojnë, por a mjafton kjo? Pse nuk na e thonë se kush nuk i lejonte, që ta shikonin dhe ta luftonin fenomenin që po i krijonte imazhit të vendit kaq shumë probleme? Pse nuk na thotë se kush nuk e lejoi që të merrte informacion për situatën në terren? Ai thjesht e injoroi? Mos vallë e toleroi apo edhe më keq, mos vallë bashkëpunoi? A do të shprehet njeri në këtë vend se kush është ai “i madhi” për të cilin flasin përgjimet e bisedave të njerëzve të involvuar në këto trafiqe? Heshtje. Këto gjëra kërkojnë përgjigje. Nuk i kërkojmë vetëm ne përgjigjet, ne jemi dhe duhet të jemi të parët që i kërkojmë, por i kërkon edhe Europa, i kërkojnë edhe mediet më prestigjioze. Javën e kaluar gazeta më prestigjioze në Europë dhe në Gjermani, “FAZ”, e ngriti me të madhe këtë çështje.

Të nderuar kolegë deputetë, koha është e pamjaftueshme për të trajtuar  një sërë çështjesh të tjera. Dua ta përfundoj fjalën time duke folur në lidhje me jetën dhe me nivelin e jetës parlamentare.

I nderuar zoti Kryetar,

Ne kemi një parlament dhe parlamentarë ambulantë. Unë besoj se përvoja juaj në krye të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste gjatë këtyre vjetëve do të bëjë që të merrni masa, që të kemi një parlament funksional, përtej retorikës së Kryeministrit, i cili dihet se është një nga njerëzit që nuk ka asnjë lloj simpatie për parlamentarizmin dhe përpiqet t’i ekspozojë gjithmonë deputetët si njerëz me favore. Mund të ketë favore, por, ju lutem, krijoni kushtet minimale për të pushuar çdo deputet ambulant.

Faleminderit dhe suksese edhe një herë!

 

 

0 comments

Other articlesgo to homepage

Kryetari i PBDNJ –së z. Vangjel Dule në emisionin “Log.” në ABCNews me gazetarit Endri Xhafo [VIDEO]

Kryetari i PBDNJ –së z. Vangjel Dule në emisionin “Log.” në ABCNews me gazetarit Endri Xhafo [VIDEO]

Kryetari i PBDNJ –së z. Vangjel Dule në emisionin “Log.” në ABCNews me gazetarit Endri Xhafo [VIDEO] 4 Maj 2021  

Takim i OMONOIA-PBDNJ në Dropull:  Bashkë për Ndryshim!

Takim i OMONOIA-PBDNJ në Dropull: Bashkë për Ndryshim!

Takim i OMONOIA-PBDNJ në Dropull:  Bashkë për Ndryshim!  Vangjel Dule: Politikat e autarkisë, abuzivizmit, kleptokracisë dhe çorientimit nga objektivi i integrimit në BE marrin fund me 25 Prill!    

Deklarata e fortë e Vangjel Dules: Rama kërkon të kemi zgjedhje “të verbëra”, gjithmonë e ka shmangur debatin

Deklarata e fortë e Vangjel Dules: Rama kërkon të kemi zgjedhje “të verbëra”, gjithmonë e ka shmangur debatin

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule e gjykon pozitivisht ecurinë e angazhimit opozitar në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Dule shprehet se duke u bazuar tek entuziazmi i qytetarëve, 25 prilli do të jetë një ditë vendimtare

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule pritet zyrtarisht në Athinë nga Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias: “Mbështesim fortë komunitetin grek në Shqipëri”

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule pritet zyrtarisht në Athinë nga Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias: “Mbështesim fortë komunitetin grek në Shqipëri”

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule pritet zyrtarisht në Athinë nga Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias: “Mbështesim fortë komunitetin grek në Shqipëri” Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, përfaqësues të minoritetit etnik grek që jetojnë në vendin tonë dhe drejtuesit e organizatës OMONOIA, janë pritur ditën e sotme, në një takim zyrtar të zhvilluar në Athine,

Vangjel Dule flet për herë të parë për zgjedhjet e 25 prillit në ”Ilva Now”

Vangjel Dule flet për herë të parë për zgjedhjet e 25 prillit në ”Ilva Now”

Vangjel Dule flet për herë të parë për zgjedhjet e 25 prillit në ”Ilva Now” 17/03/2021 Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule foli përballë gazetares Ilva Tare në Euroenws Albania rreth kandidimit në Tiranë dhe jo në Vlorë si dhe problemet me të cilat përballet minoriteti grek në Shqipëri.

read more

Contacts and information

Social networks

Most popular categories

Buy This Theme
© 2011 Gadgetine Wordpress theme by orange-themes.com All rights reserved.